MK | AL | EN

27.10.2021

Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut caktohet si kryesuese e Konferencës Menaxheriale dhe të Ekspertëve të Qendrës për Shërbime Publike të Punësimit të Vendeve të Evropës Juglindore (CPESSEC) për vitin 2022

Drejtori i Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Abdush Demiri, sot mori pjesë në një konferencë menaxheriale të organizuar online nga Qendra për Shërbime Publike të Punësimit të vendeve të Evropës Juglindore (CPESSEC). Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të Shoqatës Botërore për Shërbime Publike të Punësimit (WAPES), si dhe përfaqësues të Sekretariatit Europian për Shërbime Publike të Punësimit (EU PES Network Sekretariat). Konferenca e Njëzetë e CPESSEC-së, këtë vit u organizua nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kroacisë me temën “E ardhmja e punës dhe punësimit pas krizës së Covid 19”.

Pandemia e shkaktuar nga virusi Covid 19 ndryshoi mënyrën e jetesës për secilin prej nesh dhe në mënyrë të drejtpërdrejt shkaktoi ndryshime në tregun e punës. Tema e sotme është një sfidë e vërtetë për të gjithë ne këtu dhe besojmë se shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare në këtë temë do të jetë e një rëndësie të veçantë dhe ndihmë e madhe për të gjitha vendet pjesëmarrëse në tejkalimin e efekteve dhe pasojave negative në tregun e punës - theksoi në fjalimin e tij drejtori i APRMV-së Abdush Demiri.

Para vendeve pjesëmarrëse në konferencë, Drejtori i APRMV-së Demiri prezantoi programet dhe masat aktive të punësimit që janë pjesë e Planit Operativ të programeve dhe masave aktive të punësimit dhe shërbime të tregut të punës për vitin 2021, të cilat ofrojnë mbështetje për personat e papunë dhe punëdhënësit e prekur nga pasojat negative të shkaktuara nga kriza e Covid 19.

Në fund të konferencës menaxheriale, flamuri i CPESSEC-së nga Drejtori i Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kroacisë, Ante Lonçar, iu dorëzua drejtorit të APRMV-së Abdush Demirit, me çka Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut zyrtarisht u emërua si kryesuese e konferencës menaxheriale dhe ekspertëve të Qendrës për Shërbime Publike të Punësimit të vendeve të Europës Juglindore (CPESSEC) për vitin 2022.