Konferencë shtypi e ministres Shahpaska dhe e drejtorit të APRMV-së, Demiri: Plani operativ për vitin 2020 arriti rezultate të shkëlqyera, një realizim të lartë prej 94.5% dhe përfshiu 10,953 të papunë

Drejtori i Agjencisë së Punësimit të RMV-së, Abdush Demiri dhe ministrja e Punës dhe e Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, në konferencën e sotme të shtypit të mbajtur në Qeverinë e RMV-së, informuan në lidhje me realizimin e Planit operativ për programet dhe masat aktive të punësimit dhe shërbimet e tregut të punës për vitin 2020.

"Edhe përkundër faktit se Plani operativ për vitin 2020 ishte përgatitur pa ndonjë supozim dhe parashikim të pandemisë, realizimi i tij arriti 94.5%, pra u përfshinë 10.953 të papunë.
U realizuan 1 miliard e 270 milionë denarë subvencione, prej të cilave 650 milionë denarë për mbështetjen e krijimit të vendeve të reja të punës" theksoi ministrja Shahpaska.
Ajo veçoi masën e vetëpunësimit si një ndër më të mirat dhe më të suksesshmet, me realizim të lartë prej 98,5%.
Më pas, ajo vuri në dukje se rreth 4000 të papunë u punësuan me anë të masave të dhënies së granteve në vlerë prej 5,000 deri 10,000 euro, të subvencionimit të rrogave, të punësimeve dhe të rritjes së subjekteve juridike.
Një nga përparësitë e MPPS-së është mbështetja e punësimit të personave me aftësi të kufizuar. "Me anë të masave dhe programeve aktive të planit operativ, 189 personave me aftësi të kufizuar u mundësuam që të nënshkruajnë kontrata pune dhe kështu për këtë qëllim u përdorën 99.4% e mjeteve," theksoi ministrja Shahpaska.

Drejtori i Agjencisë së Punësimit të RMV-së, Abdush Demiri, theksoi se të papunët treguan interes të madh për të marrë pjesë në programet dhe masat e punësimit, që synojnë përvetësimin dhe plotësimin e njohurive dhe aftësive të tyre në mënyrë që të rrisin punësueshmërinë dhe konkurrencën e tyre në tregun e punës.
"Këtu do të veçonim trajnimet e profesioneve të kërkuara në tregun e punës ku morën pjesë 421 të papunë për të fituar aftësi pune si automekanik, saldues, mjeshtër ëmbëlsirash, bukëpjekës, kujdestarë të të moshuarve, ndihmës personalë, etj.", theksoi Demiri.
Ministrja Shahpaska informoi se në përputhje me reformat e sistemit të mbrojtjes sociale, në Planin operativ për vitin 2020, u prezantua për herë të parë kategoria e përfituesve të ndihmës minimale të garantuar, të cilët patën mundësinë të përfshihen në secilën nga masat e punësimit nëpërmjet një procesi të aktivizimit.
Republika e Maqedonisë së Veriut është shteti i parë që nuk është anëtar i Bashkimit Europian dhe filloi me zbatimin e projektit Garanci për të rinjtë. Në fokusin e këtij projekti janë të rinjtë, të papunët deri 29 vjeç, masa dha rezultate të shkëlqyera, pavarësisht kushteve specifike të shkaktuara nga pandemia e KOVID-19.
"Nga 25.482 të rinj të përfshirë, 7.197 u punësuan, dhe 1.249 rritën punësueshmërinë e tyre nëpërmjet përfshirjes në masat aktive," tha Shahpaska.
Drejtori i APRMV-së, Demiri vuri në dukje se është shënuar shfrytëzim i plotë i programeve me përfshirje më të madhe sociale të personave që vështirë gjejnë punë në tregun e punës, dmth. Programi për Punë të dobishme Komunale dhe programi për Punë Publike.
"Nëpërmjet këtyre programeve, njerëzit që vështirë gjejnë punë, përfitojnë aftësi duke përmbushur nevojat e shërbimeve sociale në nivelin lokal, projekte nga infrastruktura dhe mbrojtje e mjedisit jetësor në nivel lokal. Nëpërmjet këtyre dy programeve 1,063 të papunë u angazhuan në punë," tha Demiri.
Ministrja Shahpaska theksoi se duke përdorur përvojat nga realizimi i Planit operativ të vitit 2020, në lidhje me masat që ishin më tërheqëse dhe për të cilat u tregua interes më i madh, Plani operativ për vitin 2021 është parashikuar në vlerë prej mbi dy miliardë denarë, për të cilin Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale ka siguruar katër herë më shumë fonde, krahasuar me vitin paraprak, që do të thotë rritje e përfshirjes së të papunëve, rritje e kualifikimeve të tyre sipas nevojave të tregut të punës.