MK | AL | EN

08.04.2022

Drejtori Bekim Murati me rastin e Ditës Botërore të Romëve: Në Planin Operativ për këtë vit, për herë të parë futet kuota për përfshirjen e romëve

Drejtori i Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bekim Murati, së bashku me përfaqësuesit e tQeverisë, Kuvendit dhe OJQ-ve rome, sot mori pjesë në diskutimin tematik në Qeverinë e RMV-së të organizuar me rastin e Ditës Botërore të Romëve.

Ai theksoi se për të rritur mundësinë e romëve për integrim në tregun e punës, në Planin Operativ për këtë vit, për herë të parë do të synohet rritja e përfshirjes së romëve në masat dhe shërbimet aktive të punësimit duke futur një kuotë prej 5% për përfshirjen e romëve.

Murati si shembull pozitiv vuri në pah pjesëmarrjen e romëve në Planin Operativ të vitit të kaluar.

-Pjesëtarët e komunitetit rom treguan interes për pjesëmarrje në Planin Operativ për vitin e kaluar, kështuqë 37 qytetarë të bashkësisë etnike rome, përmes programit Vetëpunësim – Sipërmarrësi morën mbështetje financiare prej 5 mijë euro dhe krijuan biznesin e tyre. Pjesëtarët e komunitetit rom, poashtu u përfaqësuan edhe në masat aktive ku ata janë kategori e synuar dhe që çojnë në punësim të drejtpërdrejtë, siç janë masat aktive Subvencionimi i rrogave dhe Punësimi dhe rritja e personave juridikë, përmes të cilave u punësuan 123 anëtarë të këtij komuniteti. – theksoi Bekim Murati

Në vitin 2021, 9706 pjesëtarë të komunitetit rom u përfshinë në shërbimet e Ndihmës për kërkimin e punës, Trajnimet motivuese, Përgatitjes për punësim dhe punë, Orientimit profesional dhe Këshillimit për karierrë, Ndërmjetësimit për punësim, Këshillim dhe Motivim për shfrytëzuesit e ndihmës së garantuar minimale, si dhe shërbimit Aktivizimi i romëve të papunë dhe personave tjerë në rrezik të përjashtimit social.

- Shërbimi, Aktivizimi i romëve të papunë dhe personave të tjerë në rrezik të përjashtimit social, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunitetin rom, sepse përmes këtij shërbimi, personat e papunë kanë qasje deri te ekipi i mentorëve, të cilët janë të angazhuar në bashkësitë komunitare. Roli i këtyre mentorëve është që t'i motivojnë dhe informojnë rregullisht për mundësitë e punësimit ose të përmirësimit të kapaciteteve të tyre profesionale. – deklaroi Bekim Murati

Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e përfshirë në mënyrë aktive në aktivitete të shumta që synojnë integrimin më të madh të romëve në tregun e punës. APRMV-ja bashkëpunon me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e punësimit të romëve, shkëmben të dhëna me ta dhe zbaton projekte dhe ngjarje. Përfaqësuesit e APRMV-së morën pjesë aktive në projektin “Integrimi i Romëve 2020” dhe përgatitjen e “Strategjisë për Përfshirjen e Romëve 2022-2030”.